Secondary Adv

Rama: Qeveria do paguajë 50 për qind të qirave për studentët

Qeveria planifikon të mbulojë gjysmën e qirasë për studentët që plotësojnë kushtet dhe të ofrojë kredi për banesa.

Qeveria shqiptare do të mbulojë 50 për qind të vlerës së qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara, si pjesë e masave të parashikuara në projektligjin për strehimin social dhe të përballueshëm. Nisma u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të institucioneve financiare në vend.


Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se qeveria po punon për avancimin e legjislacionit për strehimin social, me synimin për të adresuar vështirësitë ekonomike të studentëve dhe të rinjve, veçanërisht përballë rritjes së çmimeve të qirave në Tiranë.


Sipas kryeministrit, mbështetja do të përfshijë subvencionimin e gjysmës së qirasë për studentët që përmbushin kushtet, si dhe vijimin e programeve të kredive të buta për çiftet e reja dhe financimin e blerjes së banesave me norma interesi të përcaktuara.


Qeveria do të mbulojë gjysmën e qirasë për studentët

Kryeministri theksoi se projektligji për strehimin social dhe të përballueshëm është pjesë e programit qeveritar dhe se drafti është prezantuar më shumë se një muaj më parë. Sipas tij, nisma synon t'u përgjigjet vështirësive që kanë studentët dhe familjet e tyre për të përballuar kostot e strehimit, në kushtet e rritjes së çmimeve.


“Është një ligj që adreson edhe problematikën e studentëve, sepse qysh në programin e Qeverisë dhe një muaj e kusur më parë, e hodhëm këtë draft duke krijuar një qasje krejt të re me rritjen e çmimeve dhe pamundësinë e studentëve për të paguar, pa iu marrë frymën prindërve, qiratë në Tiranë. Qeveria do të futet për të paguar 50 për qind të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet”, deklaroi Rama.


Kryeministri nuk dha detaje të mëtejshme mbi kriteret që duhet të plotësojnë studentët për të përfituar nga kjo mbështetje, ndërsa masa është pjesë e ndryshimeve ligjore që qeveria synon të avancojë.


Kredi të buta për çiftet e reja dhe kredi me interes 3 për qind për banesa

Përveç mbështetjes për studentët, Rama njoftoi se qeveria do të vijojë programet e kredive të buta për çiftet e reja që synojnë të blejnë një apartament, deri në një vlerë të përcaktuar.


Gjithashtu, projektligji parashikon mundësi financimi për blerjen e apartamenteve me kredi me interes 3 për qind, për banesa që nuk tejkalojnë kufijtë e vlerës së përcaktuar nga programi.


“Po ashtu, do të vijojmë me kredi të buta për çiftet e reja për një apartament me vlerë deri në çmim të caktuar, si dhe për kredi me interes 3 për qind për apartamentet me një vlerë të caktuar. Është ligj që sjell mbështetje për disa mijëra apartamente në vend”, tha kryeministri.


Rama theksoi se për zbatimin e këtyre masave do të jetë i nevojshëm edhe bashkëpunimi me institucionet financiare. Ai shtoi se qeveria synon të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë që dëshirojnë të punojnë dhe të investojnë dijet e tyre në zhvillimin e vendit.


Rama komenton protestat dhe dëmtimin e Bankës së Shqipërisë

Gjatë takimit me përfaqësuesit e sektorit financiar, kryeministri u ndal edhe te situata e krijuar nga protestat në vend, duke shprehur solidaritetin e tij dhe duke theksuar nevojën për adresimin e shqetësimeve të qytetarëve që kanë protestuar në mënyrë paqësore.


“Jam këtu për të shprehur solidaritetin për këtë moment kritik që po kalojmë. Kjo do të kalojë, por ne nuk do të harrojmë. Ka shumë detyra që dalin para nesh si qeveria e vendit. Duhet të adresojmë problematikat e atyre që ishin në protestë paqësisht, por dhe të shumë atyre që i mbështesin ata që protestojnë. Por jo dhunën”, deklaroi Rama.


Kryeministri komentoi edhe sulmin ndaj godinës së Bankës së Shqipërisë, duke e krahasuar situatën me ngjarjet e vitit 1997.


“Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në 1997, se nuk kishte banka të tjera, të tjerat ishin Sudja me Xhaferrin. Banka e Shqipërisë sot është e gjuajtur me gurë”, u shpreh ai.


Rama theksoi se qeveria do të evidentojë dhe trajtojë problematikat që kanë dalë në pah gjatë protestave, duke përfshirë edhe çështjet që lidhen me strehimin dhe përballueshmërinë e kostove të jetesës.


“Ne do t'i nxjerrim një për një detyrat. Detyrat për ligjin për strehimin social dhe të përballueshëm, ku do të na duhet edhe bashkëpunimi me ju”, deklaroi kryeministri, duke iu drejtuar përfaqësuesve të institucioneve financiare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat